Kosova17 Mars 2023, 15:03

Kurti pas takimit me Escobarin: Jemi duke shkuar në Ohër me vullnet të mirë

Shkruar nga Pamfleti

Kurti pas takimit me Escobarin: Jemi duke shkuar në Ohër me vullnet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, priti në Prishtinë zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Gabriel Escobar.

Bashkë me emisarin Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendës-ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.

U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti e falënderoi të dërguarin e SHBA-së, Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.

Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

kurti escobar dialogu