Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se është i gatshëm të nisë diskutimet me partitë e tjera për çështjen e presidentit, duke filluar nga dita e nesërme.
Në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, Kurti theksoi se dialogu për këtë temë mund të fillojë menjëherë pas miratimit të Buxhetit prej 4 miliardë euro dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
"Mësimet që kemi nxjerr gjatë mandatit të kaluar se bashku me ekspertizën dhe dijet tuaja më bëjnë të besoj se ky kabinet i ka të gjitha parakushtet të jetë kabineti më i mirë. Jemi mbledhur qysh në ditën e parë të punës për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare që kanë qenë në pritje”, tha Kurti.
Ndërkohë, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë bërë të ditur se këtë herë nuk do t’i shmangen përgjegjësisë për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili mori votëbesimin e partisë, deklaroi se zgjedhja e presidentit kërkon marrëveshje politike, por jo pazare.
“Kur flasim për marrëveshje politike, nuk e kemi fjalën për pazare politike, kemi fjalën që duhet të ulën partitë që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Pra jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik, për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Kosovës”, tha ai, duke nënvizuar se LDK është e “përkushtuar që të gjejë konsnesus”.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi se subjekti që ai drejton është i hapur për diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me çështjen e presidentit.
“Nuk ka asgjë të keqe të flasim, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”, ka thënë Hamza.
Sipas raportimeve mediatike, debatet rreth kësaj çështjeje duket se ndikuan që presidentja Vjosa Osmani të anulojë pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Zgjedhja e presidentit kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet partive politike për arritjen e një marrëveshjeje.
Lini një Përgjigje