TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Maj 2023, 19:11

“Siguria duhet të jetë prioritet”, BE dënon sulmet në Veri ndaj EULEX-it: S’do të pranojmë asnjë veprim provokues

Shkruar nga Pamfleti

“Siguria duhet të jetë prioritet”, BE dënon sulmet

Bashkimi Evropian ka dënuar tensionet e ditës së sotme në veri të Kosovës, pas tentimit që kryetarët e rinj të komunave të Zubin-Potokut, Zveçanit e Leposaviqit të futen në zyrat e tyre.

Me anë të një reagimi, Bashkimi Evropian ka dënuar “sulmet ndaj EULEX-it”, duke theksuar se nuk do të pranojë më asnjë veprim të njëanshëm ose provokues.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale. I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it. EULEX duhet të lejohet të kryejë mandatin e tij paqësisht. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë. BE-ja s’do të pranojë asnjë veprim të mëtejmë të njëanshëm apo provokues dhe ruajtja e paqes dhe siguria në terren duhet të jenë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.

Më tej, në reagim BE-ja ka përsëritur se “zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat e përfshira”.

“Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes dialogut të vërtetë ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës - nën lehtësimin e BE-së”, thuhet në reagim.

be sulm eulex

Lini një Përgjigje