
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, teksa ka dënuar sulmet dhe lëndimet e policëve duke i quajtur një akt i rëndë dhune.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të jetë iu kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.
Më tej ai i ka bërë thirrje serbëve lokalë të mos bien pre e interesave politike të Vuçiçit, të cilit po i lëkundet pushteti sipas tij.
“Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiçit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti.
Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.
Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri. Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës.”, shkruan Haradinaj.
Lini një Përgjigje