
Gabriel Escobar, emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi ka folur sërish për ndikimin e planit franko-gjerman në stabilitetin e rajonit.
Escobar tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kyç për rajonin.
“Sepse pushtimi i pajustifikuar dhe brutal i presidentit rus Vladimir Putin, dhe ndikime tjera malinje synojnë të mbjellin ndarje”, tha ai për gazetën malazeze Mina.
Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve do të hapë dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Kosovë dhe Serbisë në Evropë dhe do të kontribuojë për stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Të hënën, më 27 shkurt në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret ka deklaruar se në Bruksel do të diskutohet plani franko-gjerman për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se liderët e BE-së kanë pritshmëri të mëdha për përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të dy vendeve.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur dakordësinë e Kosovës për planin franko-gjerman duke refuzuar asociacionin e komunave me shumicë serbe.