Kosova26 Maj 2023, 19:30

Tensionet në Veri fusin në "konflikt" Kurtin me SHBA, valë reagimesh "përvëluese" nga Uashingtoni: Boll nxite dhunë dhe përplasje!

Shkruar nga Pamfleti
Tensionet në Veri fusin në "konflikt" Kurtin me SHBA,
Kurti dhe Osmani duke takuar Sekretarin Blinken

Për tensionet në veri reaguan shumë ashpër kundër Kurtit, sekretari Blinken, ambasadori amerikan në Kosovë, vetë DASH dhe senatori Chris Murphy...

Tensionet sot në Veri të Kosovës kanë shkaktuar një përplasje të fortë mes kryeministrit Albin Kurti dhe amerikanëve. Krerët e komunave me shumicë serbe u futën në zyra mes gazit lotsjellës dhe të shtënave me armë, duke shkaktuar tensione për disa orë.

Por nga SHBA erdhën 4 reagime jashtëzakonisht të forta, ndoshta më të fortat në vitet e fundit. I pari që reagoi ishte ambasadori Jeffrey m. Hovenier. Ai drejtori gishtin nga Albin Kurti për tensionet në veri.

Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, u shpreh ai.

Më pas erdhi një reagim nga senatori Chris Murphy. Në reagimin e bërë në Twitter, Murphy kërkonte që kryeministri Albin Kurti duhet të ndalte provokimet menjëherë.

Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam zënë totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë”, shkruan ai.

Murphy tha se për këtë “zhvillim shqetësues” ka pasur edhe një telefonatë me Këshilltarin Special të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

Por “qershia mbi tortë” ishte reagimi që erdhi nga Sekretari Ameirkan i Shtetit, Antony Blinken. Edhe ai i është drejtuar Kurtit, duke deklaruar se veprimet e sotme dëmtojnë dialogun dhe nuk janë të pranueshme për amerikanët.

Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”, tha Blinken.

Po ashtu erdhi një reagim edhe nga vetë Departamenti i Shtetit. DASH e bën të qartë se veprimet e sotme dëmtojnë raportet mes dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në reagim.

Amerikanët kanë dyshime se situata në veri po përdoret nga të dyja palët për të bllokuar dialogun. Madje shumë media serbe e kanë hedhur këtë si ide, pasi sipas tyre, si Kurti ashtu dhe Vuçiç nuk e duan gjetjen e një konsensusi. /Pamfleti

 

blinken kurti kosova