
Situata në e tensionuar në veri të Kosovës ka prekur edhe mediat shqiptare. Mësohet se janë sulmuar mjetet e ekipeve mediatike që po raportojnë nga Leposaviqi, ‘Kallxo’, ‘RTV Dukagjini’ dhe ‘Top Channel’.
Makinave të këtyre ekipeve i janë vizatuar simbole nacionaliste serbe nga protestuesit.
Ndërkaq, ekipi i RTV Dukagjinit njofton se mjetit të tyre i janë shpërthyer edhe gomat.
Gazetarët që po raportojnë nga veriu janë vazhdimisht në rrezik, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të mundësojnë raportim të sigurt nga komunat ku ka tensione.
Makina e ekipit të Top Channel që raporton nga veriu i Kosovës, është sulmuar nga serbët.
Në automjet janë shkruar simbole nacionaliste serbe dhe automjetit i është hequr targa.
Protestuesit serbë kanë hedhur edhe bojë të zezë mbi xhamin e përparëm të automjetit.
Megjithëse KFOR dhe forcat e policisë janë të pranishme në zonë, kjo nuk i ka ndaluar ata të kryejnë akte sulmuese mbi automjetet pranë komunave apo të tentojnë të hyjnë me forcë brenda në institucione.
Në 26 maj, pati përplasje mes forcave speciale të Kosovës dhe protestuesve serbë të cilët u mblodhën para ndërtesave komunale për të mos lejuar kryetarët e rinj të zgjedhur me votë që të hynin për të nisur detyrën e tyre. U desh ndërhyrja e policisë për të bërë që kryetarët e zgjedhur të arrinin të hynin në zyrat e tyre.
Kjo shkaktoi rritje të tensioneve, ku pati përplasje të ashpra mes proteshtuesve dhe policisë që si rrjedhojë sollën edhe plagosjen e 5 prej efektivëve. Gjithashtu në disa prej komunave u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe u ngritën barrikada.
Në kundërpërgjigjie, Vuçiç ngriti gatishmërinë ushtarake në Serbi si dhe zhvendosi trupat pranë kufirit me Kosovën.
Për tensionet në veri të Kosovës, pati reagime të shumta nga ndërkombëtarët, ku SHBA dhe BE dënuan ndërhyrjen e dhunshme të policisë së Kosovës dhe i kërkuan kryeministrit, Albin Kurti që të shmangte veprime të tilla, të cilat ata i quajtën ‘provokime’.
Nga ana tjetër, Kurti dhe Osmani në përgjigjie të deklaratave të ndërkombëtarëve, e cilësuan ndërhyrjen e policisë në veri si pjesë të ushtrimit të legjitimitetit me argumentin se kryetarët e rinj të zgjedhur duhet të nisnin detyrën ditën kur ua përcakton ligji.

Lini një Përgjigje