TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Korrik 2026, 15:26

“Kush je ti të më quash mua të padenjë”, senatorja paraguajane sulmon Mbape: Dhunë gjinore, turp për ty që përfaqëson Francën

Shkruar nga Pamfleti
“Kush je ti të më quash mua të padenjë”,
Kilian Mbape-Çeleste Amarila

Polemika mes kapitenit të Francës, Kilian Mbape, dhe senatores paraguajane Çeleste Amarila është përshkallëzuar, pasi kjo e fundit ka kërkuar një falje publike nga futbollisti francez dhe ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë veprime ligjore ndaj tij.

Debati nisi pas fitores 1-0 të Francës ndaj Paraguait në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, ndeshje e vendosur nga një penallti e realizuar nga Mbape. Pas eliminimit të kombëtares paraguajane, Amarila publikoi në rrjetet sociale një sërë komentesh me përmbajtje raciste ndaj sulmuesit francez.

Në reagimin e tij në platformën X, Mbape i dënoi deklaratat e senatores, duke i cilësuar ato si raciste dhe të mbushura me urrejtje.

"Je një grua e neveritshme dhe nuk përfaqëson popullin e Paraguait", shkroi Mbape, ndërsa njëkohësisht vlerësoi paraqitjen dhe luftën e kombëtares paraguajane gjatë turneut.

Pas kësaj, Federata Franceze e Futbollit njoftoi se ia kishte referuar deklaratat e senatores autoriteteve kompetente për procedura të mëtejshme ligjore. Edhe presidenti i federatës, Filipe Dialo, i dënoi ashpër fyerjet ndaj futbollistit dhe Francës. Ndërkohë, qeveria e Paraguait u distancua nga komentet e Amarilës, duke deklaruar se i "dënon dhe i refuzon" ato dhe se mbetet e përkushtuar ndaj respektit, barazisë dhe të drejtave të njeriut.

Megjithatë, senatorja nuk u tërhoq plotësisht nga qëndrimi i saj. Në një deklaratë të gjatë, ajo pranoi se ishte penduar për gjuhën e përdorur dhe se e kishte fshirë postimin.

"U pendova që të ofendova me të njëjtat fyerje që kam marrë edhe unë, sepse edhe unë jam përçmuar për faktin që jam me prejardhje të përzier dhe latine. Kuptova se po përsërisja modele që i urrej dhe e fshiva postimin", shkroi Amarila.

Pavarësisht kësaj, ajo kërkoi që edhe Mbape të kërkojë falje.

"Tani kërkoj që edhe ti të tërheqësh deklaratën tënde dhe të më kërkosh falje. As unë nuk do ta toleroj dhunën tënde."

Amarila theksoi se mosmarrëveshja nuk lidhet me Francën, por vetëm me futbollistin.

"Problemi është mes meje dhe teje. Nuk kam thënë kurrë asgjë kundër Francës. Përkundrazi, jam me ju. Kam studiuar në një shkollë franceze nga mosha dy deri në 17 vjeç, flas frëngjisht dhe më pëlqen të vizitoj Francën. Problemi është me ty."

Senatorja akuzoi Mbape për arrogancë dhe përçmim ndaj futbollistëve të Paraguait gjatë ndeshjes, duke pretenduar se sjellja e tij kishte lënduar të gjithë vendin e saj.

Në fund të reagimit, Amarila mbrojti mandatin e saj politik dhe akuzoi sulmuesin francez për "dhunë politike ndaj grave".

"Kush je ti që të më quash të padenjë apo të neveritshme, kur nuk më njeh fare? Kjo është dhunë e pastër gjinore. Dhunë politike ndaj një gruaje që është zgjedhur me votën e popullit të saj. Më përçmon pikërisht sepse jam grua."

Në përfundim, senatorja i bëri thirrje Mbape të kërkojë falje dhe të tërheqë deklaratat e tij, duke paralajmëruar se, në të kundërt, mund të ndjekë rrugën ligjore për atë që e cilëson si dhunë politike me bazë gjinore.

Deri tani, Kilian Mbape nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së fundit të senatores paraguajane.

çeleste amarila senatorja e paraguajit kilian mbape sulmuesi francez

Lini një Përgjigje