Kosova30 Maj 2023, 14:52

Tensionohet situata në Leposaviç, huliganët serbë sulmojnë mediat shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

Tensionohet situata në Leposaviç, huliganët serbë

Në Komunën e Leposaviçit në Kosovë është tensionuar sërish situata. Raportohet se disa huliganë kanë sulmuar dhe dëmtuar disa vetura të mediave nga Shqipëria.

Njëri nga gazetarët i televizionit A2 ka bërë të ditur se ata kanë qenë brenda veturës, kur në drejtim të tyre janë hedhur tulla. Ngjashëm, është sulmuar edhe vetura e gazetës Panorama, teksa është goditur në pjesën e përparme të xhamit me gur.

"Unë po rrija në makinë, erdhën nga krahu i majtë 10 vetë me maskë dhe na goditën. Na gjuajtën me gurë dhe tulla. Ne arritëm të largoheshim. Kjo ngjarje ndodhi në pak sekonda."-ka rrëfyer shoferi i njërës prej mediave. 

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

tensionohet situata në leposaviç protesta serbet