
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar pas tensioneve në veri ku një polic mbeti i vrarë.
Pietro Barbano tha se është i tmerruar nga sulmi i dhunshëm kundër Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Ai u shpreh gjithashtu ngushëllime të thella familjarëve të policit të vrarë në Zveçan, Afrim Bunjaku.
“Të tmerruar nga sulmi i dhunshëm i sotëm kundër Policisë së Kosovës. Ngushëllimet e mia më të thella familjes së policit të vrarë në krye të detyrës. Iu uroj shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur”, shkruan ai në Twitter.
Kujtojmë se, efektivi i forcave të rendit nga Samadrexha e Vushtrrisë u qëllua për vdekje sot rreth orës 3 të mëngjesit, në një pritë nga persona të maskuar në Banjskë të Zveçanit.
Ata i kanë bllokuar rrugën makinës së Policisë në Mitrovicë- Leposaviç me dy kamionë dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Për pasojë, u plagos edhe një person tjetër.
Bunjaku është polici i dytë që vritet në veri të Kosovës, ndërsa në vitin 2011 Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë ra në krye të detyrës. Ai u vra më 26 korrik 2011, gjatë aksionit të forcave të Republikës së Kosovës për ta shtrirë kontrollin në veri të vendit.