Kosova24 Shtator 2023, 15:28

Ambasada britanike dënon sulmin në Veri: Agresion i tmerrshëm, autorët të ndëshkohen

Shkruar nga Pamfleti

Ambasada britanike dënon sulmin në Veri: Agresion i tmerrshëm,

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Përmes një reagimi në rrjetin social Tëitter, Ambasada ka bërë thirrje për qetësi dhe zgjidhje paqësore të situatës.

“Britania e Madhe dënon sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjska/Banjskë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe kolegët e policit të Kosovës Afrim Bunjaku, i vrarë në krye të detyrës. I urojmë shërim të shpejtë oficerëve të plagosur në sulm. Ne bëjmë thirrje për qetësi dhe për zgjidhje paqësore të situatës së vazhdueshme në Banjskë”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet gjithashtu se institucionet e Kosovës duhet të hetojnë dhe identifikojnë autorët e këtij sulmi.

“Institucionet e Kosovës duhet të hetojnë dhe të identifikojnë autorët e këtij sulmi të tmerrshëm, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë në përputhje me ligjin. E mirëpresim bashkërendimin e ngushtë të Policisë së Kosovës, si reagues i parë, me EULEX-in dhe KFOR-in”, njofton Ambasada britanike në Kosovë.

ambasada kosove vrasje polici