Kosova24 Shtator 2023, 15:31

Vijojnë të shtënat në Veri/ Policia u përgjigjet ashpër agresorëve, disa të vrarë

Shkruar nga Pamfleti

Vijojnë të shtënat në Veri/ Policia u përgjigjet

Policia e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj agresorëve që vranë sot një efektiv në veri.

Sipas mediave të Kosovës, janë vrarë deri më tani 7 agresorë. Ata u mblodhën në një manastir dhe prej shumë orësh ka shkëmbime zjarri. Fillimisht policia konfirmoi se kishte vrarë një prej tyre, por “Kosova Press” shkruan se gjatë shkëmbimi të zjarrit janë vrarë 7 “terroristë”. Ndërkohë është publikuar dhe fotoja e njërit prej tyre, i cili shihet me uniformë dhe i armatosur.  Mësohet se Policia ka marrë një nga objektet brenda Manastirit dhe ka gjetur shumë mjete ushtarake.

Vijojnë të shtënat në Veri/ Policia u përgjigjet
Një prej agresorëve të vrarë

Duhet theksuar se në mëngjesin e sotëm policia e Kosovës u sulmua brutalisht dhe një efektiv humbi jetën. 

Autoritetet e Kosovës bëjnë me dije se është një grup prej 30 personash me uniformë, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme të cilët vijojnë të qëllojnë drejt policisë. Ata janë strehuar në manastirin e Banjska të Zveçanit dhe situata vijon të jetë e tensionuar. Ndërkohë bëhet me dije se policia gjatë aksionit që ka ndërmarrë në këtë zonë ka arrestuar 4 serbë.

Kujtojmë se, efektivi i forcave të rendit nga Samadrexha e Vushtrrisë u qëllua për vdekje sot rreth orës 3 të mëngjesit, në një pritë nga persona të maskuar në Banjskë të Zveçanit.

Ata i kanë bllokuar rrugën makinës së Policisë në Mitrovicë- Leposaviç me dy kamionë dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Për pasojë, u plagos edhe një person tjetër.

Bunjaku është polici i dytë që vritet në veri të Kosovës, ndërsa në vitin 2011 Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë ra në krye të detyrës.

Ai u vra më 26 korrik 2011, gjatë aksionit të forcave të Republikës së Kosovës për ta shtrirë kontrollin në veri të vendit.