
Vazhdon prej disa orësh shkëmbimi i zjarrit në veri të Kosovës. Një grup ushtarak i mirëorganizuar sulmoi efektivët e policisë së Kosovës, duke vrarë një prej tyre. Më pas ata janë futur në ambientet e një manastiri, ku dhe vijojnë të shtënat.
Por mediat e Kosovës kanë publikuar një audio që pretendohet se është regjistruar nga brenda manastirit. Personat e përfshirë në këtë ngjarje dëgjohet që flasin rusisht.
Ndërkohë sot u pyet nga gazetarët zv/drejtori i policisë nëse ka informacione që pjesë e grupit të jenë mercenarë të Wagner.
Sipas tij janë diskutuar dhe trajtuar të gjitha mundësitë pasi ka pasur informacione për prezencë të këtyre personave, por deri tani u shpreh Hoti nuk ka asnjë konkrete dhe të konfirmuar.
“Sa i përket grupit Wagner, kemi pasur informacione edhe më herët, kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar. Ju e dini që gjykatat kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Prandaj si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar", tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti
Ndërkohë ka ardhur dhe një reagim i KFOR. Në reagimin e tyre thuhet se KFOR-i po vijon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe trupat e tyre janë të pranishme në zonë, të gatshme për t’iu përgjigjur nëse do të nevojitet ndërhyrja e tyre.
“Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren. Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Më tej theksohet se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon fuqishëm sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit Afrim Bunjaku.
Kujtojmë se, efektivi i forcave të rendit nga Samadrexha e Vushtrrisë u qëllua për vdekje sot rreth orës 3 të mëngjesit, në një pritë nga persona të maskuar në Banjskë të Zveçanit.
Ata i kanë bllokuar rrugën makinës së Policisë në Mitrovicë- Leposaviç me dy kamionë dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Për pasojë, u plagos edhe një person tjetër.