
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti do të fillojë sot dhe do të vazhdojë deri me datën e zgjedhjeve, më 12 tetor, siç ka vendosur Komisioni Qendror Zgjedhor.
Shumica e partive kanë paralajmëruar hapjen e fushatave sot në kryeqytet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e mbajti mbrëmë para se të nisë fushata zyrtarisht.
Partia e parë që e nis fushatën është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, në Prishtinë.
Pas AAK-së, nga ora 14:00, Nisma do të hapë fushatën për zgjedhjet lokale 2025 në Klan Arena, në Prishtinë.
Ndërsa, nga ora 18:00 fushatën zgjedhore e nis Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Në fund në sheshin “Skënderbeu”, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të nisë fushatën e saj në orën 19:00.
Për prishjen e praktikës nga Lëvizja Vetëvendosje për fushatën e mbajtur mbrëmë jashtë periudhës zyrtare të caktuar për fushatë u kritikua për shmangie të mbikëqyrjes nga institucionet përkatëse meqë periudha e parafushatës është e parregulluar ligjërisht.
Eugen Cakolli nga KDI tha se kjo do të thotë se “për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione, madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se fushata zgjedhore për 93 subjektet politike me mbi 5 mijë e 600 kandidatë, do të zhvillohet nga sot deri në orën 06:59 të datës 12 tetor.
Ai ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.
Lini një Përgjigje