Kosova 6 Dhjetor 2023, 17:53

Zgjedhjet në veri të Kosovës, “ping pong” mes institucioneve

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në veri të Kosovës, “ping pong” mes

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, ka konfirmuar sot se ka pranuar disa shkresa me kërkesë për largim të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Bëhet fjalë për kryetarët e komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok.

Ditën e djeshme, një grup qytetarësh të këtyre komunave, kanë thënë se kanë tentuar të bëjnë kërkesë për “shkarkimin e kryetarëve aktualë”.

Kryetarët shqiptarë janë vendosur në objektet komunale në veri, në fund të majit, hap që ka nxitur protesta të serbëve lokalë.

Ata i kanë fituar zgjedhjet e mbajtura në prill, të cilat janë bojkotuar nga serbët atje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për REL se ky institucion i ka pranuar shkresat, mirëpo hartuesit e tyre i ka deleguar te kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave përkatëse, si autoritete kompetente për ta trajtuar këtë çështje.

Ai është thirrur në aketet nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pas protestave që janë bërë kundër kryetarëve shqiptarë në këto komuna, dhe kërkesës së faktorit ndërkombëtar për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë, autoritetet e Kosovës e kanë publikuar një udhëzim administrativ, që parasheh procedurën se si mund të largohet një kryetar nga komuna.

Një ditë më parë, edhe kryetari i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut Nexhat Uglanin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo “iniciativë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar, dhe nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës.

“Kjo kërkesë nuk i është dorëzuar kryetarit ( të Kuvendit komunal) dhe nuk i është dedikuar kryetarit të Kuvendit, por i dedikohet kryetarit të komunës, me arsyetimin se shërbimet ndaj qytetarëve nuk janë të mira”.

Uglanin: Kërkesa për shkarkimin e kryetarit në Mitovicën e V. në kundërshtim me udhëzimin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka thënë të martën se autoritetet e Kosovës kanë treguar se “nuk janë të interesuara për ndonjë shtensionim dhe normalizim të situatës në katër komunat në veri të Kosovës”.

Si shembull për një gjë të tillë, Petkoviç ka përmendur se “përfaqësuesit shqiptarë” në komunat në veri kanë refuzuar të pranojnë një iniciativë qytetare, të arsyetuar, sipas tij, për largimin e “kryetarëve të rremë dhe jolegjitimë”.

Hapat drejt zgjedhjeve, sipas udhëzimit

Udhëzimi administrativ për largim të kryetarit të komunës, i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i parasheh këta hapa:

Kërkesa duhet të bëhet nga i ashtuquajturi grup nismëtar, i cili përbëhet nga tre apo më shumë persona me të drejtë vote në komunën përkatëse.

Ky grup e njofton kryesuesin e kuvendit komunal për kërkesën në fjalë, dhe pajisjet me dokumentacionin e nevojshëm.

Më pas, grupit i duhet të mbledhë një minimum prej 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me kërkesë për largim të kryetarit.

Lista me nënshkrime duhet dërguar kryesuesit të kuvendit komunal, e cila më vonë përfundon në Komisionin Qendror Zgjedhor

Nëse KQZ-ja vlerëson se kushtet janë përmbushur, organizohen zgjedhjet për largimin e kryetarit.

Nëse në ato zgjedhje sigurohen 50 për qind plus 1 votë për largim të kryetarit, ai largohet prej funksionit dhe organizohen zgjedhje të reja. Në rast të kundërt, iniciativa dështon. Ajo do të mund të përsëritej vetëm pas një viti.

Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që, për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3.600 nënshkrime, në Leposaviq 2.600 nënshkrime, në Zveçan 1.400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1.300 nënshkrime.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mund të mbahen në tri raste:

nëse kryetari aktual jep dorëheqje

nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe

nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye./REL

kqz shkrese shkarkim