
Një nga formatet më të komentuar nga publiku shqiptar, “Ferma VIP”, do të rikthehet shumë shpejt në ekran me një sezon të ri.
Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e formatit në Instagram, e cila ka publikuar një video të shkurtër promovuese, duke zbuluar edhe datën e shumëpritur të nisjes së spektaklit. Sipas njoftimit, edicioni i ri i “Ferma VIP” do të startojë më 27 mars, duke sjellë sërish në qendër të vëmendjes një eksperiencë krejtësisht ndryshe për personazhet e njohur.
Ambienti rural, natyra dhe sfidat e jetës në fshat duken se do të jenë sërish në fokus, ndërsa produksioni ngre pyetjen që tashmë ka ndezur kuriozitetin e publikut: kush do të arrijë të rezistojë deri në fund të kësaj gare?
Formati i njohur i vendos personazhet e famshëm përballë një realiteti krejt ndryshe nga ai që janë mësuar. VIP-at duhet të lënë pas jetën e luksit, komoditetin e përditshëm dhe ritmin e showbizit për t’u përballur me punët e fermës, jetesën në natyrë dhe sfidat e izolimit.
Mbetet për t’u parë se cilët emra të njohur të showbizit shqiptar do të guxojnë të heqin petkun e VIP-it për të veshur çizmet e punës, duke u bërë pjesë e kësaj aventure unike televizive, nën drejtimin e Arbana Osmanit, e cila rikthehet sërish në krye të këtij formati.
Lini një Përgjigje