Tensionet në Ferma VIP janë përshkallëzuar edhe më shumë, ndërsa produksioni ka ndërmarrë masa të forta disiplinore ndaj dy konkurrenteve, Mimoza Ahmeti dhe Zhaku.
Pas penalizimit të mëhershëm të Ilir Shaqirit, gjatë spektaklit të fundit moderatorja Arbana Osmani lexoi zarfin e ardhur nga Agai, ku bëhej i ditur vendimi për izolimin e menjëhershëm të dy fermereve në ambientet e “fakirit”.
Sipas njoftimit të produksionit, refuzimi i vazhdueshëm i Mimozës dhe Zhakut për të marrë pjesë në sfidat dhe detyrat e përcaktuara ka përbërë shkelje të rregullave bazë të formatit, duke cenuar frymën e lojës dhe funksionimin normal të fermës.
Në zarf u theksua se sfidat dhe detyrat nuk janë zgjedhje personale, por pjesë e detyrueshme e eksperiencës në “Ferma VIP”, ndaj mosrespektimi i tyre sjell pasoja të drejtpërdrejta për konkurrentët.
Si masë disiplinore, Moza dhe Zhaku do të qëndrojnë të izoluara deri të premten, pa kontakt me fermerët e tjerë, përveç rasteve kur komunikimi është i domosdoshëm gjatë sfidave të përcaktuara nga Agai.
Produksioni vendosi gjithashtu rregulla edhe më të forta për periudhën e izolimit, ndërsa paralajmërimi u shtri edhe te banorët e tjerë të fermës. Agai bëri të qartë se çdo fermer që do të komunikojë me dy konkurrentet jashtë rregullave të përcaktuara, rrezikon përjashtimin nga gara.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku ndjekësit e formatit janë ndarë mes atyre që mbështesin masat disiplinore dhe atyre që i konsiderojnë të tepruara. Tashmë mbetet për t’u parë se si kjo situatë do të ndikojë në marrëdhëniet mes banorëve dhe në dinamikën e lojës në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje