
Udhëtim nëpër botë, luks i shfrenuar dhe drogë. Shumë drogë. Sepse në fund të fundit, edhe një pseudonim si "mbretëresha e ketaminës së Los Anxhelosit" duhet të fitohet. Jasveen Sangha , 41 vjeç, është gruaja e akuzuar bashkë me katër persona të tjerë, se shkaktoi vdekjen nga mbidoza e Matthew Perry, yllit të serialit televiziv “Friends”, i cili vdiq në tetorin e vitit të kaluar në moshën 54 vjeçare.
Në shtëpinë e saj në Hollywood, hetuesit gjetën më shumë se 80 shishe me ketaminë, si dhe qindra pilula që përfshinin metamfetaminën, kokainën dhe droga të fuqishme kundër ankthit si Xanax. Për të mos harruar një makinë numërimi parash, një peshore dhe një armë zjarri. Gjithçka që i duhej tregtares model të drogës, një detaj që sugjeron se baza e saj e klientëve në djepin e kinemasë, ishte mjaft e gjerë.

Qendra e biznesit të mbretëreshës së shpërndarësve të drogës në Los Anxhelos ishte "shtëpia" e saj, e cila përdorej për të ruajtur, paketuar dhe shpërndarë lëndë narkotike të të gjitha llojeve, duke përfshirë furnizimin me ketaminë që më vonë vrau Matthew Perry. Gruaja tani ndodhet në burg dhe do të qëndrojë atje të paktën deri në seancën e caktuar për në tetor. Nëse akuzat konfirmohen, ajo përballet me një minimum prej 10 vitesh burg deri në burgim të përjetshëm.
Kush është Jasveen Sangha?
Nuk dihet shumë për jetën private të Jasveen Sangha. Me shtetësi të dyfishtë britanike dhe amerikane, sipas asaj që miqtë dhe të njohurit i thanë gazetave të ndryshme amerikane, ajo tashmë ishte plotësisht pjesë e jet setit të Los Angeles. Aq e integruar dhe mikeshë me disa yje të Hollivudit, sa ishte e ftuar në natën e Oscarit.
Shumë aktive në rrjetet sociale. Pak ditë pas vdekjes së Perry-t ajo postoi foto nga një udhëtim në Meksikë.
E fiksuar pas pamjes së saj fizike, ajo dihej se i nënshtrohej seancave të Botox që synonin të relaksonin tiparet e fytyrës, madje deri në atë pikë sa të mos mungonte as një terapi e diskutueshme intravenoze e konsideruar si ilaç për mirëqenien natyrale të trupit të saj. Ajo ishte gjithmonë e gatshme për festa, darka apo thjesht për t'u çlodhur. Ajo sillej sikur nuk kishte asnjë problem. E pakujdesshme deri në atë pikë sa kishte shkuar në një sallon bukurie për të ndryshuar ngjyrën e flokëve dhe rregulluar thonjtë vetëm pak ditë para arrestimit.
Roli në vdekjen e Perry
Sipas rikonstruksioneve të deritanishme, shitja e ketaminës nga Sangha te Perry do të bëhej falë ndërmjetësimit të Eric Fleming - një shpërndarës droge gjithashtu i përfshirë në çështjen ligjore - i cili do të kishte blerë flakonet e analgjezikëve dhe më pas do t'i dorëzonte ato te aktori i Friends. Prokuroria pretendon se fillimisht mbretëresha e ketaminës i kishte dhënë Fleming një mostër të drogës që mbahej në një shishe të vogël qelqi transparent, të mbyllur me një kapak blu.

Vetëm pas miratimit të substancës nga Perry, Fleming bleu në emër të tij rreth 50 shishe të ndara në dy këste, për një vlerë prej rreth 6 mijë dollarë. Një porosi kaq e madhe sa që meriton edhe disa karamele me ketaminë falas. Që nga ai moment, arkitekti i fatit fatkeq të Perry-t ishte ndihmësi i tij Kenny Iwamasa, i cili i dha atij të paktën gjashtë doza në ditë deri në tre të fundit që shkaktuan vdekjen e tij.
Precedenti i vitit 2019
Duke i dhënë mbështetje të mëtejshme akuzave në rastin Perry, prokurorët shtuan se Sangha ishte plotësisht e vetëdijshme për rreziqet e ketaminës, pasi ia shiti ilaçin një burri që vdiq disa orë më vonë nga një mbidozë në gusht 2019 . Atë herë ishte një i afërm i viktimës, 31-vjeçari Cody McLaury, i cili e njoftoi për vdekjen me një mesazh nga një bisedë, të cilin më pas Sangha u kujdes ta fshinte. Analiza e kryer në smartfonin e saj kishte nxjerrë në pah se mbretëresha e ketaminës, menjëherë pasi u njoftua, kishte kërkuar në Google për të parë nëse ishte e mundur të konsiderohej substanca si shkaku i vdekjes së McLaury. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje