TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Maj 2025, 19:06

Alban Bushi: Ja dalim ndaj Serbisë, po të luaja jam 1 milion përqind i sigurt se do i shënoja gol

Shkruar nga Pamfleti

Alban Bushi: Ja dalim ndaj Serbisë, po të luaja jam 1 milion

Alban Bushi është i bindur se po të ishte ai ende në fushën e lojës, do i kishte shënuar padyshim Serbisë në ndeshjen direkte me këtë skuadër në kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri i U-21 të Shqipërisë, në një intervistë të dhënë për “Sport News” në “News 24”, ka analizuar pikërisht ndeshjen e ardhshme të kuqezinjve, duke u ndalur te Kombëtarja në drejtimin e Silvinjos, por edhe te kundërshtari dhe ngarkesa emocionale që mbart kjo sfidë.

Në bashkëbisedimin e tij me moderatoren Trevisa Tufa, Bushi analizoi edhe lojën e U-17 të Shqipërisë e cila debutoi në fazën finale të Europianit të kësaj grupmoshe, teksa identifikoi disa lojtarë të cilët sipas tij premtonin edhe për ekipin A.

Çfarë përfiton Shqipëria nga zhvillimi i Euro U-17, pra për herë të parë në histori?

Përfitimet janë shumë të mëdha, është shumë e rëndësishme, është një nga kampionatet më të rëndësishme në Europë sa i takon moshave. E promovojnë Shqipërinë në të gjithë botën. Ka shumë përfitime edhe nga ana financiare. Sa i takon anës taktike, teknike, ne përfitojmë shumë. E pamë Portugalinë, nivel i lartë, edhe pse mendoj se e përballuam mirë ndeshjen për 60-70 minuta. Kemi shumë talente tek U-17, pavarësisht se nuk u vunë në dukje. 2-3 lojtarë do bëhen shpejt për ekipin A.

A të shqetëson humbja 4-0 ndaj Portugalisë?

Nuk duhet parë rezultati. Rëndësi ka loja. Ekipi ishte kompakt. Diferencat janë aty, nuk jemi në një nivel me Portugalinë. Unë mendoj se e përballuam goxha mirë, patjetër që duhet të përmirësohemi.

Pati 2-3 elementë që të bindën, kush janë?

Kulla ishte lojtar shumë i mirë, me potencial për ekipin A. Shumë shpejt mund të luajë edhe tek U-21. Më kujtonte pak Manajn dhe Brojën. Portieri m’u duk i mirë. Lojtari me numër 10, Vukaj, m’u duk lojtar me cilësi të jashtëzakonshme që Shqipëria nuk i ka as tek ekipi A.

A është ky turne një eksperiencë e fituar edhe për Europianin e U-21 që do të zhvillohet mes Shqipërisë dhe Serbisë më 2027, një turne që mund të fitojmë përvojë?

Unë mendoj që edhe pse jemi një Federatë e vogël, i kemi bërë gjërat mirë. UEFA e ka parë si e organizuam finalen e Ligës së Konferencës dhe na dha mundësinë për organizimin e U-17. E pamë dhe dje që ishte organizim perfekt sa i takon tifozëve. Domethënë një organizim i mirë nga FSHF, duhet falënderuar.

Pas 17-vjeçarëve, radhën e ka Kombëtarja A, ku do përballemi me Serbinë? E kujton shpesh ndeshjen e 14 tetorit të vitit 2014?

E kujtojmë se është diçka që ka mbetur në mendjen e shqiptarëve. Ishte ndeshje e vështirë, me ngarkesë e dinamikë. Që kur u futëm në fushë, presioni ishte i madh. Nëse do vazhdonte loja, do fitonim atë ndeshje.

Pas thuajse një dekade, a kanë ndryshuar gjërat?

Gjërat ndryshojnë, njerëzit evoluojnë. Ajo është plagë e hapur me Serbinë, pasi njerëzit kanë humbur familjarë. Ne jemi njerëz të futbollit dhe duhet të jemi të ftohtë në fushë. Mendoj se do e kalojmë me sukses këtë provë. Serbia pretendon për vendin e parë dhe i duhen 3 pikët me Shqipërinë. Në momentin që nuk marrin 3 pikëshin këtu, ata do jenë në presion. Nuk di si do e menaxhojë Silvinjo, por ne duhet të jemi favoritë.

Në aspektin emocional do jetë e vështirë, po në aspektin sportiv sa e vështirë do jetë?

Duhet qetësi sepse është ndeshje delikate. I kemi mundësitë për të fituar. Dinamika dhe emocionet janë aty. Silvinjo ka potencialin për të transmetuar këto mesazhe. Unë kam shumë besim, nuk ka si ndodh ndryshe.

Serbia është me nivel të lartë, në sfidën me Shqipërinë çfarë i druhesh më shumë?

E kam parë dhe mendoj se ka ekip solid dhe me kualitet. Mund të të bëjë dëm në çdo moment. Përqendrimin e kemi por jo shumë të gjatë. Ata mund të luajnë dobët por mund të të ndëshkojnë në fund.

A mund të kemi ndonjë risi, si për shembull Juljan Shehi i cili luajti në muajin mars?

Silvinjo ka mundësi zgjedhjeje, kemi parë që nuk luajnë Muçi apo edhe të tjerë. Duhet të jetë i zoti për të marrë më të mirën. Është i zoti të menaxhojë situatën mirë.

Çfarë ndjesie ke?

Unë mendoj që do e fitojmë atë ndeshje. Kam besim te zemra dhe shpirti që lojtarët do kenë. Do doja të luaja edhe vetë, pavarësisht se jam 52-vjeç (Qesh). Po të luaja, jam 1 milion përqind i sigurt që do bëja gol.

 

alban bushi trajneri i kombëtares u-21

Lini një Përgjigje