
Hakan Çalhanoglu është kthyer në një çështje më vete tek Interi. Pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube nga Fluminense, kapiteni Lautaro Martinez ka bërë një deklaratë të fortë, referuar pikërisht mesfushorit turk.
“Kushdo që nuk dëshiron të qendrojë tek Interi, duhet të largohet”, ishte në thelb të deklaratës së Lautaro Martinez, që solli direkt një reagim të gjatë dhe të fortë të Çalhanoglu. Në një reagim më rrjetet zyrtare, turku nuk ngurroi të përmendte dashurinë që kishte për Interin. “Nuk e kam tradhtuar kurrë këtë klub, nuk kam thënë kurrë se nuk jam i lumtur tek Interi”, tha mes të tjerash Çalhanoglu.
Turku ka arritur marrëveshjen personale me Gallatasarajin, ku i ka kërkuar dhe drejtuesve të Interit, ta lënë të lirë të kthehet në shtëpi. Por, klubi zikaltër është i gatshëm të lërë të lirë turkun vetëm për një shifër që është rreth 40 milionë euro, aq sa është klauzola e tij. Në anën tjetër, Gallata ofron 15 milionë euro në tavolinë, plus 5 milionë euro bonuse, por jo më shumë.
Duke dashur të përfitojnë nga situata e nderë, në garë për Çalhanoglu janë futur edhe dy klubet e Premier Ligës: Mançester Junajtid dhe Fulham, ndaj nuk do jetë befasi nëse sezonin e ri mesfushori turk do të luajë në Angli. Rrugëtimi i tij tek Interi ka marrë fund, dhe nëse nuk kthehet në “shtëpi” te Gallatasaraji, atëherë Premier Liga mund të jetë një pistë shumë interesante.
Lini një Përgjigje