Sport 6 Tetor 2023, 21:02

Ardian Ismajli mban në ankth shqiptarët, titullari kuqezinjve lë fushën i dëshpëruar pas dëmtimit të radhës

Shkruar nga Pamfleti
Ardian Ismajli mban në ankth shqiptarët, titullari kuqezinjve lë

Empoli i shqiptarëve ka barazuar me rezultatin 0-0 në ndeshjen që luajti në shtëpi përballë Udinezes. Minuta kishte edhe për lojtarët e Kombëtares sonë, por që nuk arritën të merrnin më shumë se 1 pikë.

Etrit Berisha ishte përsëri gardiani titullari i Empolit në këtë sfidë duke luajtur gjatë gjithë ndeshjes.

Alarm për Kombëtaren shqiptare! Fati i keq ndjek Ardian Ismajlin, titullarin e padiskutueshëm në planet e Silvinjos, pasi futbollisti i sapokthyer nga dëmtimi, ka pësuar një tjetër sot dhe ka lënë fushën e lojës para përfundimit të ndeshjes ndaj Udinezes.

Futbollisti, i dëmtuar pak ditë më parë në ndeshjen ndaj Interit, ishte përsëri sot titullar në Serinë A. Ai dhuroi një provë të mirë në prapavijën e skuadrës, deri në minutën e 75, kur pas një aksioni të miqve në zonë, u ul në tokë dhe bëri shenjë nga pankina se kërkonte ndihmën e stadit mjekësor.

Ai mori trajtim në fushë dhe u kërkua menjëherë ndërrimi i tij, teksa futbollisti u largua vetë i dëshpëruar nga fusha e lojës, pasi shihej teksa tundte kokën vazhdimisht duke mos besuar edhe vetë këtë situatë që u krijua pak ditë pasi kishte rimarrë veten.

Ky është padyshim një problem për trajnerin Silvinjo, i cili mund të humbasë shërbimet e futbollistit për ndeshjen delikate të së enjtes ndaj Çekisë, duke ndryshuar planet për ekipin që kërkon në këtë ndeshje të hedhë një hap drejt “EURO 2024”.

ardian ismajli futbollisti i kombëtares shqiptare