
Arsenali shmangu këtë javë një tjetër hap fals që mund t’i kushtonte vendin e parë në renditje, në një kohë kur Manchester City vazhdon ta ndjekë nga afër. Skuadra londineze fitoi bindshëm 4-1 në transfertë ndaj Tottenhamit, duke marrë tri pikë me peshë në garën për titull.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe gola në pjesën e parë. Arsenali kaloi në avantazh në minutën e 32-të me Eberechi Eze, i cili realizoi për shifrat 0-1. Vetëm dy minuta më vonë, në të 34-ën, Randal Kolo Muani barazoi shifrat në 1-1 për Tottenhamin, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, Arsenali reagoi menjëherë. Në minutën e 47-të, Viktor Gyökeres shënoi për 1-2 pas asistimit të Jurrien Timber. Presioni i miqve vazhdoi dhe në minutën e 61-të Eze realizoi golin e tij të dytë personal, duke çuar rezultatin në 1-3.
Goli i katërt erdhi në kohën shtesë. Në minutën 90+4, Gyökeres shënoi sërish, këtë herë pas një asistimi nga Martin Ødegaard, duke vulosur përfundimisht fitoren 1-4 të Arsenalit.
Me këtë sukses, Arsenali mban ritmin në krye të tabelës dhe i jep një sinjal të qartë rivalëve, ndërsa Tottenhami mbetet me zhgënjimin e një humbjeje të thellë në derbin londinez.
Lini një Përgjigje