TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Nëntor 2025, 16:07

Bajerni “sparkatë” Barcelonës, kampionët e Gjermanisë nisin bisedimet me yllin e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

Bajerni “sparkatë” Barcelonës, kampionët e

Bajerni i Mynihut ka hedhur hapat e parë drejt transferimit të Fisnik Asllanit, pasi sipas gazetarit gjerman Florian Pletenberg, kampionët e Gjermanisë kanë zhvilluar “bisedime konkrete” me sulmuesin e Hofenheimit. Klubi bavarez po kërkon një zëvendësues të besueshëm për Herri Kejn, ndërkohë që Nikolas Xhekson, aktualisht në huazim, pritet të rikthehet te Çelsi në fund të sezonit.

Asllani është shfaqur si një opsion real për Bajernin, falë formës së tij mbresëlënëse këtë edicion. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës është golashënuesi më i mirë i Hofenheimit këtë sezon në Bundesliga, me pesë gola të realizuar deri tani. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, duke e vendosur 23-vjeçarin në qendër të tregut të ardhshëm veror.

Një element kyç është klauzola e lirimit të sulmuesit, e cila aktivizohet vetëm në fund të sezonit. Kjo e bën largimin e tij pothuajse të sigurt, dhe klubet e interesuara kanë nisur tashmë garën për të siguruar shërbimet e tij. Bajerni, që e ka ndjekur lojtarin prej kohësh, ka shkuar një hap më tej duke zhvilluar bisedime direkte me futbollistin rreth një kalimi të mundshëm në “Allianz Arena” verën e ardhshme.

Megjithatë, bavarezët nuk janë të vetmit në garë. Edhe Barcelona raportohet të jetë e interesuar për Asllanin, çka e rrit ndjeshëm konkurrencën për nënshkrimin e tij. Bajerni po përpiqet të veprojë me shpejtësi për të mos humbur një objektiv që shihet si ideal për të rritur alternativat në sulm dhe për t’i ofruar Herri Kejn një mbështetje të fortë në vijën e avancuar.

 

fisnik asllani sulmuesi shqiptar bajerni i myihut

Lini një Përgjigje