
Përfundon ndeshja e kthimit e turit të parë në Champions League. Ballkani është mposhtur me rezultatin e thellë 4-0 nga Ludogorets, duke “hedhur në erë” fitoren 2-0 të sfidës së parë dhe i ka thënë lamtumirë këtij kompeticionin, ku do ta vazhdojë aventurën në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Vitin e kaluar, skuadra kosovare e drejtuar nga tekniku Ilir Daja arriti deri në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.
Vendasit zhbllokuan ndeshjen që në minutën e 4. Një krosim në zonë gjeti të papërgatitur mbrojtjen e Ballkanit dhe Tekpetej me një goditje e kokë ndëshkoi kosovarët.
Në minutën e fundit të pjesës së parë, bullgarët dyfishuan shifrat. Ishte sërish Tekpetej, i cili me një diagonale nga e majta mposhti portierin Koliçi.
Me fillimin e pjesës së dytë dhe më konkretisht në minutën e 49, Ludogorets realizoi golin e tretë. Gafë e pafalshme e Jashanicës, i cili i fali topin Tiseras para Koliçit dhe futbollisti dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 79, Ludogorets gjeti edhe golin e katërt që i siguroi bullgarëve kualifikimin në turin tjetër. Gabimet në mbrojtje nuk kanë fund! Kaio Vidal përfitooi për të dërguar topin përsëri në rrjetën e Koliçit.
Lini një Përgjigje