TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Qershor 2026, 17:44

Bomberi që i mungon Shqipërisë ëndërron Premier Ligën, sulmuesi kërkohet nga 3 skuadra ambicioze

Shkruar nga Pamfleti
Bomberi që i mungon Shqipërisë ëndërron Premier
Lorent Tolaj

Lorent Tolaj po tërheq vëmendjen e disa prej klubeve të rëndësishme të Championship, falë paraqitjeve mbresëlënëse në vitet e fundit. Sulmuesi shqiptar ka regjistruar statistika të shkëlqyera, duke u kthyer në një nga lojtarët më produktivë në kategoritë e futbollit anglez.

Në tre sezonet e fundit, Tolaj ka shënuar 58 gola dhe ka dhuruar 30 asiste, duke kontribuar në total në 88 gola për ekipet e tij. Forma e qëndrueshme dhe progresi i vazhdueshëm kanë bërë që ai të jetë në qendër të vëmendjes së disa klubeve me objektiva të mëdha.

Sezonin e fundit, 24-vjeçari e zhvilloi me Plimuthin në Ligën Një, kategorinë e tretë të futbollit anglez. Megjithatë, paraqitjet e tij kanë bërë që tashmë të kërkohet nga skuadra të Championship-it, me Milluoll, Uest Bromuiç Albion dhe Stok Siti që raportohen ndër klubet e interesuara për shërbimet e tij.

Tolaj ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, por mundësia për një transferim në një nivel më të lartë duket gjithnjë e më e afërt, duke pasur parasysh interesimin në rritje për kartonin e tij.

Një tjetër aspekt që tërheq vëmendje është edhe mundësia e aktivizimit të tij me Kombëtaren shqiptare. Deri më tani, sulmuesi është paraqitur vetëm me ekipet zinxhir të Zvicrës, ndërsa duhet përmendur fakti që mund të luajë për Shqipërinë.

Mbetet për t’u parë nëse Federata Shqiptare e Futbollit do të arrijë ta bindë talentin 24-vjeçar për t’iu bashkuar Shqipërisë, e cila mund të fitojë një alternativë të rëndësishme në repartin ofensiv. Në të kaluarën, Tolaj është shfaqur duke festuar golat me simbolin e shqiponjës, një gjest që ka nxjerrë në pah lidhjen e tij me origjinën shqiptare.

lorent tolaj sulmuesi shqiptar skuadrat e championship

Lini një Përgjigje