Kupa e Botës 2026 po afron mes pritshmërive të mëdha sportive, por një pjesë e konsiderueshme e vëmendjes është përqendruar te presidenti amerikan Donald Trump, i cili konsiderohet një nga figurat më me ndikim jashtë fushës së lojës.
Turneu më i madh i futbollit në botë do të organizohet për herë të parë nga tre vende njëkohësisht – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja – ndërsa roli dhe vendimet e Trumpit pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në atmosferën që do të shoqërojë kompeticionin më madhor futbollistik.
Për shkak të profilit të tij politik dhe stilit shpesh të paparashikueshëm, analistët vlerësojnë se Trump mund të dominojë titujt e mediave gjatë turneut, krahas yjeve të futbollit si Lionel Mesi, Vinicius Zhunior, Lamin Jamal dhe Kristiano Ronaldo.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me politikat amerikane për emigracionin dhe sigurinë. Sipas raportimeve, ekziston frika se masa të caktuara mund të krijojnë vështirësi për pjesëmarrësit, tifozët apo zyrtarët e lidhur me Kupën e Botës, duke vendosur FIFA-n përballë sfidave organizative.
Në debatet që kanë shoqëruar përgatitjet për turneun është përmendur edhe mundësia e refuzimit të hyrjes në SHBA për persona të lidhur me futbollin, ndërsa nuk kanë munguar kritikat për praninë e Trumpit në aktivitete sportive të organizuara nga FIFA. Megjithatë, drejtuesit e Federatës Botërore të Futbollit kanë insistuar se fokusi kryesor duhet të mbetet te sporti dhe zhvillimi i garës.
Vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara fituan të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 2026 gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump, duke e lidhur emrin e tij edhe më shumë me këtë ngjarje globale.
Me një format të ri që do të përfshijë 48 kombëtare pjesëmarrëse, Kupa e Botës 2026 pritet të vendosë rekorde të reja. Megjithatë, përveç spektaklit në fushë, vëmendja do të jetë e përqendruar edhe te zhvillimet politike dhe ndikimi që presidenti amerikan mund të ketë në rrjedhën dhe perceptimin e turneut.
Lini një Përgjigje