Futbollistët e kombëtares së Gjermanisë kanë vendosur të marrin përsipër shpenzimet e transportit publik për një pjesë të tifozëve të tyre gjatë Kupës së Botës. Nisma u bë e ditur nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB), e cila sqaroi se vendimi synon të lehtësojë barrën financiare të mbështetësve të ekipit përballë rritjes së kostove të udhëtimit gjatë turneut.
Kombëtarja katër herë kampione e botës do të financojë transportin me autobus për 600 tifozë gjermanë që do të ndjekin ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Ekuadorit. Takimi është planifikuar të zhvillohet më 25 qershor në stadiumin “MetLife” në New Jersey, një destinacion ku shumica e tifozëve pritet të udhëtojnë nga New Yorku.
Sipas raportimeve të BBC-së, çmimet e transportit për ndeshjet e Botërorit kanë qenë objekt kritikash të shumta nga tifozët muajt e fundit. Përballë kësaj situate, kapiteni i Gjermanisë, Joshua Kimmich, së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, vendosën të ndërhyjnë duke mbuluar kostot e udhëtimit për një numër të konsiderueshëm mbështetësish.
“Duke marrë parasysh kostot e larta të udhëtimeve me autobus dhe tren në New York gjatë Botërorit, futbollistët e kombëtares gjermane kanë organizuar transport falas për 600 tifozë për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve”, thuhet në deklaratën zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit.
Rritja e çmimeve ka qenë veçanërisht e ndjeshme në linjat që lidhin Manhattanin me zonën e stadiumit. Tarifat e biletave të trenit, të cilat zakonisht kushtojnë rreth 12.90 dollarë, gjatë turneut kanë arritur deri në 150 dollarë. Pas reagimeve dhe polemikave të shumta, çmimi u ul në 98 dollarë, por edhe kjo shumë konsiderohet e lartë nga tifozët.
Lini një Përgjigje