
Ish-sulmuesi i famshëm i Skënderbeut dhe Kukësit në kampionatin tonë, Pero Pejiç deklaroi se e sheh Shqipërinë më pak favorite në sfidën e sotme ndaj Kroacisë, pasi kroatët kanë më shumë eksperiencë në fazat finale të Evropianit.
Gjithsesi, kroati 41-vjeçar shton se futbolli shkakton gjithmonë surpriza dhe gjithçka mbetet për t’u parë sot, në orën 15:00.
“Ndeshja Itali-Shqipëri mund të kishte përfunduar edhe 2-2, pas rastit të minutave të fundit të Manajt. Kjo tregon se Shqipëria është ekip serioz. Ka një grup me lojtarë të rinj, që luajnë në Itali apo Gjermani, prandaj Kroacia duhet të jetë 100% që të fitojë”, theksoi Pejiç në A2 CNN.
Përfaqësuesja shqiptare do të zhvillojë ndeshjen e dytë të grupit në finalet e Kampionatit Europian, “Gjermani 2024”, atë përballë Kroacisë, në Hamburg.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes trajneri brazilian Sylvinho doli së bashku me kapitenin Berat Gjimshit, për të treguar më tepër rreth përgatitjeve.
“Gjërat në Europian dhe në këtë nivel janë shumë të vështira patjetër, por padyshim edhe të bukura, dhe ne jemi shumë të gëzuar që marrim pjesë. Ne duhet të mësojmë nga këta kundërshtarë, takimet janë vetëm 90 minutëshe dhe nuk ka asnjë mundësit jetër, në futboll ndodh gjithçka dhe ne do të bëjmë më të mirën që mundemi.”, tha Sylvinho, trajneri i Kombëtares.
Lini një Përgjigje