Sport15 Mars 2023, 15:42

Egnatia shkruan historinë, rrogozhinasit “fluturojnë” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Laçi në krizë totale

Shkruar nga Pamfleti

Egnatia shkruan historinë, rrogozhinasit “fluturojnë”

Egnatia bën surprizën në Laç dhe kualifikohet për herë të parë në histori, në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skuadra rrogozhinase ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 0-3 në Kurbin, duke siguruar biletën për më tej.

Ndeshja e parë në “Egnatia Arena” kishte përfunduar në barazim pa gola dhe vendasit shiheshin dukshëm favoritë, megjithatë fusha foli në favor të rrogozhinasve.

Medeiros shënoi golin e avantazhit në minutën e 20 për Egnatian, që në pjesën e dytë gjeti rrjetën edhe dy herë të tjera. Fillimisht ishte Kasa që shënoi të dytin dhe më pas Mediros kompletoi dopietën personale dhe vulosi kualifikimin e Egnatias, kur kronometri shënonte minutën e 66 të ndeshjes.

Egnatia bëhet kështu skuadra e tretë gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, pas Tiranës dhe Teutës, teksa në mbrëmje kompletohet katërshja, me të kualifikuarën e çiftit Partizani-Vllaznia.

Nga ana tjetër Laçi konfirmon momentin e vështirë, që po kalon si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, teksa si rrallë herë në këto 10 vitet e fundit, shanset e pjesëmarrjes në Europë, shkojnë afër zeros.

 

egnatia laçi kupa e shqipërisë