Sport28 Maj 2023, 19:25

Festë e çmendur e dibranëve, Superliga një ndeshje larg për Korabin, Flamurtari mbetet në Kategorinë e Parë

Shkruar nga Pamfleti

Festë e çmendur e dibranëve, Superliga një ndeshje larg

Korabi ka fituar 1-2 në finalen e “Play Off” ndaj Flamurtarit në “Arenën e Demave”, duke shkuar kështu vetëm një ndeshje larg ngjitjes në elitë. Kjo skuadër do presë të mësojë rivalin, i cili do jetë pikërisht vendi i tetë i Superligës. 

Vlonjatët e nisën mirë ndeshjen, me De Olivieran që kërcënoi portën rivale, por vetëm kaq. Në minutën e 22, të besuarit e Diego Longos pretenduan për penallti pas prekjes me dorë të Paplekaj, por arbitri Xhaja nuk ndau të njëjtin mendim. 

Djemtë e Kumbarçes festuan në minutën e 45, kur Keko zhbllokoi takimin pas një lëvizje të bukur. Flamurtari rriti ndjeshëm presionin në pjesën e dytë, por dibranët ishin mirë të vendosur në prapavijë, duke mos lënë aspak hapësira. 

Në minutën e 60, Beshiraj mund të mbyllte një herë e mirë llogaritë, por gaboi përpara portë, pasi gjuajtja ishte tejet e dobët. 

Minutat e fundit ishin mjaft emocionuese. Kondaj vendosi ekuilibrat përkohësisht, teksa Korabi riktheu gjithçka në favorin e vet në limite me golin e Kekos. 

Tashmë me interes të madh pritet të mësohet se kush do pozicionohet në vendin e 8 në Superligë, ekip i cili do masë forcat me Korabin për një biletë në elitë. 

korabi flamurtari kategoria e par