Kupa e Botës nuk do të ofrojë vetëm emocione dhe spektakël në fushën e lojës, por edhe një element të ri vizual që pritet të tërheqë vëmendjen e tifozëve në mbarë botën.
FIFA ka vendosur të prezantojë emblema të veçanta që do të vendosen në mëngët e fanelave të disa futbollistëve të përzgjedhur. Këto simbole synojnë të nderojnë lojtarët që kanë lënë gjurmë në historinë e Botërorit ose që kanë arritur rekorde të rëndësishme gjatë karrierës së tyre.
Mes emrave më të njohur që do të mbajnë këto emblema janë Lionel Mesi, Kilian Mbape dhe Tibo Kurtua, secili i vlerësuar për arritje të ndryshme.
Emblema “Trashëgimia” për veteranët e Botërorit
Kapiteni i Argjentinës, Lionel Mesi, do të marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të gjashtë, një arritje historike që i siguron mbajtjen e emblemës “Legacy” (Trashëgimia). Ky simbol u dedikohet futbollistëve që kanë luajtur në të paktën pesë edicione të Botërorit.
Përveç Mesit, të njëjtën emblemë do ta mbajnë edhe Kristiano Ronaldo (Portugali), Luka Modriç (Kroaci), Manuel Nojer (Gjermani) dhe Guilermo Oçoa (Meksikë).
Mbape nderohet për “Këpucën e Artë”
Sulmuesi francez Kilian Mbape do të mbajë një emblemë që kujton paraqitjen e tij të jashtëzakonshme në Kupën e Botës “Katar 2022”. Ai fitoi “Këpucën e Artë” të turneut pasi realizoi tetë gola në shtatë ndeshje, duke qenë golashënuesi më i mirë i kompeticionit.
Vlerësim edhe për portierët më të mirë
FIFA ka parashikuar një simbol të veçantë edhe për fituesit e çmimit “Doreza e Artë”, që u jepet portierëve më të mirë të Botërorit.
Këtë emblemë do ta mbajnë Manuel Nojer, fitues në vitin 2014, Tibo Kurtua për paraqitjet në vitin 2018 dhe Emiliano Martinez, i cili u shpall portieri më i mirë në “Katar 20222.
Emblema “Debut” për yjet e rinj
Për futbollistët që do të marrin pjesë për herë të parë në Kupën e Botës, FIFA ka krijuar emblemën “Debut”. Ky simbol do të identifikojë lojtarët që po përjetojnë eksperiencën e parë në skenën më të madhe të futbollit ndërkombëtar.
Nga përfaqësuesja e Francës, Rajan Çerki dhe Majkëll Olize janë mes lojtarëve që pritet ta mbajnë këtë emblemë në Botërorin e vitit 2026.
Me këtë risi, FIFA synon të ndërthurë historinë dhe traditën e kampionatit me energjinë e brezit të ri, duke i dhënë Kupës së Botës një dimension të ri simbolik dhe vizual.
Pastaj do u japin grada ushtarake e t'i bejne gjenerale. O ju pjerdhsha mendjen.