TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Korrik 2025, 15:59

“Final Four” i kritikuar nuk zgjat as 2 javë, ja ‘gracka’ e skemës që propozon FSHF-ja

Shkruar nga Pamfleti

“Final Four” i kritikuar nuk zgjat as 2 javë, ja

“Final Four” pritet të pësojë ndryshim rrënjësor në edicionin e ardhshëm, ndërsa FSHF-ja do të njoftojë vendimin zyrtar në vazhdim. Me ndryshimet e propozuara së fundmi i bie që nuk do të ketë gjysmëfinale dhe finale për të vendosur fituesin e kampionatit. Në anën tjetër, sistemi i “Final Four” do të mbetet, por pëson ndryshim rrënjësor. Kështu, në përfundim të 36 javëve do të luhen 6 ndeshje në total. Skuadrave do u përgjysmohen pikët dhe secili prej tyre do të ketë nga tri ndeshje.

Dhe sërish si në dy edicionet e fundit, përmes “Final Four” do të vendoset fituesi i kampionatit dhe skuadrat që shkojnë në Europë. Të shtunën u zhvillua takimi i parë mes klubeve dhe organizatorëve të garës në selinë e FSHF-së. Në lidhje me këtë takim dhe propozimet e parashtruara për 10 klubet e Kategorisë Superiore, FSHF-ja bëri këtë njoftim në faqen e saj zyrtare: “Departamenti i Garave në FSHF zhvilloi paraditen e së shtunës një takim konsultues me drejtues të klubeve të kampionatit ‘Abissnet Superiore’, në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’.

Në fokus të këtij takimi konsultues ishte diskutimi mbi një propozim për përmirësimin e skemës aktuale të ‘Final 4’, me qëllimin për të rritur më tepër rivalitetin dhe cilësinë në fazën përmbyllëse të kampionatit. Pjesë e diskutimeve ishte edhe mundësia për zhvillimin e mëtejshëm të këtij formati në aspekte sportive dhe komerciale, duke synuar një produkt më tërheqës për publikun dhe partnerët mediatikë. Drejtuesit u njohën me këtë propozim, ndanë mendimin e tyre, teksa vendimi nëse do të ketë ndryshim apo jo në skemë do të komunikohet në vijim”.

Skema e re dhe dështimi i mundshëm

Me propozimin e fundit, secila nga 4 skuadrat do të luajë nga 3 ndeshje. Edhe pse numri i ndeshjeve është rritur, sfidat do të mbeten në “Air Albania”. Kështu, skuadra kampione do të kurorëzohet pikërisht në “Air Albania”. Në përfundim të 36 javëve do të luhen 6 ndeshje në total. Skuadrave do u përgjysmohen pikët dhe secila prej tyre do të ketë nga tri ndeshje, ku në përfundim vendoset ekipi kampion dhe ato që sigurojnë biletën për në Europë. Në dallim nga formula e vjetër e “Final 4”, ku pikët zeroheshin në përfundim të 36 javëve, kësj radhe kemi përgjysmim pikësh. Me këtë skemë të propozuar, ekziston edhe mundësia e dështimit të “Final 4”.

Pse thuhet kështu? Nëse ekipi i vendit të parë pas 36 javësh ka një diferencë mbi 19 pikë nga vendi i dytë, i bie që të shpallet kampion edhe pa luajtur 3 ndeshjet shtesë. Në lojë janë 9 pikë, por pas përgjysmimit, nëse diferenca mbetet mbi 9, i bie që ekipi kryesues të shpallet kampion pa luajtur. E njëjta histori vlen edhe për ekipet që renditen në vendet dy, tre dhe katër. Pra, nëse diferenca pas përgjysmimit të pikëve shkon mbi nëntë me rivalët ose kreun, automatikisht ato ekipe mbeten të luajnë vetëm për pjesëmarrje, pas pasur mundësi fitimi të titullit apo një bilete të mundshme për të marrë pjesë në Kupat e Europës.

Propozimet dhe si funksionon çështja e titullit

Ashtu si në dy edicionet e fundit, edhe në sezonin 2025-2026 titulli kampion në Superiore dhe pjesëmarrja e skuadrave në Europë do të vendoset përmes skemës “Final 4”. Me propozimet e bëra nga Departamenti i Garave në FSHF për 10 klubet e Superiores është propozuar ndryshimi i “Final 4”, pikërisht për të hequr gjysmëfinalet dhe finalet dhe për ta zëvendësuar me luajtjen e tri javëve. “Panorama Sport” iu sjell propozimet e plota të “Final Four” dhe në të njëjtën kohë kalendarin e propozuar për tri javët që përcaktojnë skuadrën kampione dhe ato që marrin pjesë në Europë.

Propozimi:

-Katër faza të rregullta(vajtje-ardhje) 36 javë.

-Renditja pas 36 javëve përcakton pjesëmarrësit në fazën “Final Four”

-4 (katër) ekipet e para kualifikohen në “Final Four”.

-Pikët në këtë fazë do të përgjysmohen, duke marrë për bazë vlerën më të ulur.

-Ndeshjet do të zhvillohen sipas skemës së mëposhtme:

Java e parë

Vendi 1 – Vendi 4

Vendi 2 – Vendi 3

Java e dytë

Vendi 1 – Vendi 3

Vendi 2 – Vendi 4

Java e tretë

Vendi 1 – Vendi 2

Vendi 3 – Vendi 4

-Të gjitha ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.

-Pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen nga renditja e “Final 4”.

final four fshf abissnet superiore

Lini një Përgjigje