
Klubi i Partizanit ka njoftuar zyrtarisht largimin e trajnerit Oltijon Kërnaja. Sipas komunikatës së publikuar nga vetë klubi, vendimi është marrë si pasojë e rezultateve të dobëta në javët e fundit, të cilat kanë vënë në pikëpyetje arritjen e objektivave sezonalë.
Shkarkimi i teknikut vjen në një moment delikat për skuadrën kryeqytetase, vetëm tri javë përpara përfundimit të sezonit të rregullt të kampionatit, ku synimet e Partizanit tashmë konsiderohen të kompromentuara.
Performanca në fazën e katërt ka qenë dukshëm nën pritshmëri për të kuqtë, me një seri rezultatesh negative. Humbja në derbin ndaj Tiranës duket se ka qenë vendimtare për fatin e Kërnajës, i cili kishte marrë drejtimin e ekipit pas nisjes së sezonit, duke zëvendësuar trajnerin serb Mlladen Milinkoviç.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se drejtimi i përkohshëm i skuadrës do t’i besohet stafit aktual teknik, në bashkëpunim me drejtorin sportiv Agim Ibraimi. Ndërkohë, klubi pritet të bëjë publik në ditët në vijim emrin e trajnerit të ri.
Njoftimi i Partizanit:
“FK Partizani zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Oltijon Kërnaja. Largimi vjen pas rezultateve zhgënjyese që ekipi ka rregjistruar së fundmi çka ka kompromentuar ndjeshëm objektivat e klubit. Përgjatë pjesës së mbetur të këtij sezoni ekipi do të drejtohet nga stafi teknik aktual, pjesë e të cilit është edhe drejtori sportiv Agim Ibraimi”.
Lini një Përgjigje