
Interi ka reaguar pas eliminimit në Champions League nga Bodo/Glimt, duke u rikthyer te fitorja në kampionat. Zikaltrit triumfuan 2-0 ndaj Xhenoas në “San Siro”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të Serie A.
Rasti i parë i rrezikshëm për vendasit u regjistrua në minutën e 23-të. Një goditje e devijuar e Henrikh Mkhitarjan përfundoi në traversë, duke paralajmëruar presionin e Interit.
Shtatë minuta më pas, skuadra e drejtuar nga Simone Inzagi krijoi një tjetër mundësi të mirë shënimi. Ange-Joan Boniy provoi me kokë, por tentativa e sulmuesit francez u ndal nga portieri i Genoas.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 31-të. Pas një kombinimi të shpejtë mes Federiko Dimarkos dhe Mkhitarjan, ishte anësori zikaltër ai që finalizoi me një goditje të fuqishme me të majtën, duke dërguar topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për Interin.
Në minutën e 70-të, Interi fitoi një penallti pasi krosimi i Luis Henrikes u ndal me dorë brenda zonës nga një lojtar i Genoas. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Hakan Çalhanoglu, i aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë, duke dyfishuar shifrat.
Deri në fund, Interi administroi epërsinë pa rrezikuar rezultatin.
Me këtë fitore, zikaltrit kryesojnë renditjen me 13 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Milan, i cili do të luajë nesër në transfertë ndaj Kremonezes.
Lini një Përgjigje