
Vedat Muriqi ka hyrë në historinë e klubit spanjoll Majorka, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për këtë skuadër me 55 gola në La Liga. Me këtë arritje, sulmuesi kosovar ka lënë pas një emër të madh të futbollit botëror si Samuel Eto’o.
31-vjeçari po kalon një formë të shkëlqyer, duke mos qenë vetëm realizues i golave, por edhe një lider në fushë për ekipin e tij. Performancat e tij kanë nxitur edhe reagimin e tifozëve të Majorkës, të cilët kërkojnë që ai të merret në konsideratë për nominim për “Topin e Artë”. Megjithatë, rruga drejt këtij suksesi ka qenë e gjatë dhe jo pa sfida.
Rreth 12 vite më parë, Muriqi u largua nga Kosova për të vijuar karrierën në kampionatin shqiptar, ku u bashkua me Teutën e Durrësit. Ish-trajneri i tij në atë periudhë, Ilir Biturku, kujton fillimet e sulmuesit.
Sipas Biturkut, Muriqi ishte një lojtar premtues, me cilësi të mira teknike dhe fizike, megjithëse koha që kaloi te Teuta ishte e shkurtër.
“Ishte një lojtar i ri nga Kosova, për të cilin flitej shumë mirë. Kishte cilësi teknike, ishte mëngjarash dhe me aftësi të mira fizike,” – u shpreh Biturku.
Megjithatë, konkurrenca e fortë në repartin ofensiv bëri që Muriqi të mos gjente hapësirat e nevojshme në skuadër.
“Në atë periudhë kishte shumë sulmues cilësorë dhe me eksperiencë në kampionat. Konkurrenca ishte shumë e madhe,” – theksoi ai.
Për këtë arsye, Muriqi u huazua te Besa e Kavajës, një hap që rezultoi vendimtar për vazhdimin e karrierës së tij.
Karakteri dhe puna si çelës i suksesit
Përtej aftësive në fushë, Biturku vlerëson edhe karakterin e lojtarit si një faktor kyç në suksesin e tij.
“Ishte shumë punëtor, i përkushtuar dhe gjithmonë qëndronte pas stërvitjes. Kishte pasion, sakrificë dhe përulësi,” – deklaroi ish-trajneri.
Këto cilësi, sipas tij, kanë ndikuar drejtpërdrejt në arritjet e sotme të Muriqit me Majorkën.
Rruga drejt majave të futbollit
Pas eksperiencës në Shqipëri, në vitin 2014 Muriqi u transferua në Turqi te Giresunspor, për të vijuar më pas karrierën në nivele gjithnjë e më të larta, deri te Fenerbahçe. Një periudhë më e vështirë ishte ajo te Lazio në Itali, ku nuk arriti të shfaqte potencialin e plotë.
Shpërthimi i tij erdhi në Spanjë me Majorkën, ku sot konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe një figurë historike për klubin.
Në nivel përfaqësues, Muriqi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kosovën, duke realizuar deri më tani 32 gola.
Lini një Përgjigje