
Futbolli italian ka mësuar sot një lajm të kobshëm, pasi është ndarë nga jeta ish-futbollisti i njohur Çeleste Pin. Sipas mediave italiane, ai i ka dhënë fund jetës në moshën 64-vjeçare në shtëpinë e tij.
Çeleste Pin ishte një nga emrat më të njohur të futbollit italian në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, kur vishte fanelën e Fiorentinës e Veronës. Ai ishte një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Serinë A, ndërsa u largua nga futbolli në vitin 1996. Që nga atëherë, Pin ishte drejtues sportiv dhe merrej edhe me futbollin fëmijëve.
Sot, mediat italiane kanë përhapur lajmin e rëndë se ai i ka dhënë fund jetës në banesën e tij në Firence në moshën 64-vjeçare për arsye që nuk janë bërë ende të ditura. Një familjar nuk ia kishte dalë ta kontaktonte dhe kishte kërkuar kësisoj ndihmën e policisë pasi nuk merrte përgjigje në banesën e ish-futbollistit. Pasi kishin hapur me forcë derën, ishte gjetur trupi i pajetë i Pin.
Në lidhje me këtë tragjedi ka reaguar edhe klubi i Fiorentiës. Këta të fundit shprehën ngushëllimet e tyre me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Presidenti Komiso, bashkëshortja e tij Katerina, drejtori i përgjithshëm Alessndro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Prade, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm dhe shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Çeleste”.
Kujtojmë se Çeleste Pin ka luajtur për plot 9 vite me Fiorentinën, 1982-1991. Ndërkohë që ka mbajtur veshur edhe fanelën e Peruxhias, Veronës dhe Sienës.
Lini një Përgjigje