Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga nisja e Lojërave Olimpike Dimërore, qeveria italiane ka bërë publik planin e masave të sigurisë që do të shoqërojnë zhvillimin e këtij eventi ndërkombëtar.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka dhënë detaje mbi angazhimin e forcave të sigurisë. Sipas tij, për garantimin e rendit publik do të jenë në terren 170 mjete, radarë, avionë dhe dronë, si dhe 1.928 ushtarakë dhe rreth 2.000 karabinierë.
Në total, për sigurinë e Lojërave do të angazhohen rreth 4.000 trupa, ndërsa numri shkon në afro 6.000 persona nëse përfshihen edhe Policia e Shtetit, forcat lokale dhe të huaja, zjarrfikësit, punonjësit e mbrojtjes civile dhe struktura të tjera të specializuara.
Sipas autoriteteve italiane, objektivi i këtij operacioni është parandalimi i problemeve me rendin publik, veçanërisht në lidhje me protesta të mundshme, pas trazirave të shënuara më herët në Torino dhe kundërshtimeve të paralajmëruara ndaj pranisë së agjentëve amerikanë të ICE, agjencia federale amerikane për kufijtë dhe emigracionin.
Gatishmëria e forcave të sigurisë nis këtë të enjte dhe të premte, me rastin e mbërritjes së Flakës Olimpike në Milano, për ceremoninë e hapjes që do të zhvillohet në stadiumin “Meazza”, ku pritet të marrin pjesë mbi 50 krerë shtetesh, qeverish dhe sovranësh.
Presidenti i Fondacionit Milano–Cortina dhe i CONI-t, Giovanni Malagò, ka folur për shqetësimet lidhur me mobilizime apo marshime të mundshme, duke u shprehur se deri tani situata ka qenë e qetë. “Nuk ka pasur kurrë një edicion të Lojërave Olimpike ku protestat dhe polemikat të kenë qenë kaq të minimizuara”, deklaroi ai.
Plani i sigurisë parashikon gjithashtu skuadra antihaker, snajperë të policisë dhe një prani të shtuar në të gjitha selitë olimpike, përfshirë edhe ato alpine. Sipas autoriteteve, këto masa synojnë edhe mbrojtjen e sportistëve, përfshirë atletët LGBTQ+, gjatë qëndrimit të tyre në Itali për Lojërat Olimpike Dimërore.
Lini një Përgjigje