
Klubi i futbollit Laçi ka reaguar zyrtarisht duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Bylisi për ushtrim dhune gjatë ndeshjes së kampionatit U-19 mes dy skuadrave. Në deklaratën e tij, klubi kurbinas i konsideron pretendimet e palës tjetër si të pambështetura në prova dhe fakte konkrete.
Sipas reagimit të Laçit, ambienti ku u zhvillua ndeshja nuk disponon as tunel dhe as dhoma zhveshjeje, duke lënë të kuptohet se disa nga pretendimet për incidentet nuk përputhen me kushtet reale të stadiumit.
Reagimi i Laçit:
Duke marrë shkas nga deklarata e fundit në lidhje me ndeshjen Laçi U19 – Bylis U19, klubi ynë përgënjeshtron çdo akt dhune të pretenduar nga ekipi mik si të pabazuar në prova dhe fakte.
Ndeshja është gjykuar nga tre arbitra dhe në praninë e një delegati që kanë pasur nën vëzhgim gjithçka. Si mund të aludohet për tension në një ndeshje ku nuk është nxjerrë asnjë karton i verdhë apo i kuq për ekipin vendas, përkundrazi dy të verdhë janë dhënë për ekipin e Bylisit dhe si mund të pretendohet që është Laçi ekipi që ka shkaktuar diçka të tillë?
Theksojmë se ekipi ynë ka qenë dhe do të jetë një nga ekipet më “Fair Play” të kampionatit ku asnjë skuadër nuk ka patur të tilla pretendime dhe nuk është ndjerë e cënuar në fushën tonë.
Brenda deklaratës përmendet gjithashtu që ngjarja ka ndodhur gjatë kohës që lojtarët po futeshin në tunelin e dhomave të zhveshjes, ndërkohë që Aneksi ku u zhvillua ndeshja nuk disponon as tunelin dhe as dhomat e zhveshjes. Lojtarët kanë përdorur ambientet e stadiumit të Laçit, ku nuk është regjistruar asnjë incident i tillë me klubin mik që është kujtuar të reagojë dy ditë mbas përfundimit të sfidës.
View this post on Instagram
Ndeshja mes Laçit U-19 dhe Bylisit U-19 u zhvillua më 15 mars në stadiumin e Laçit, në kuadër të javës së 21-të të kampionatit për këtë grupmoshë. Takimi përfundoi në barazim pa gola (0-0), por u shoqërua me tensione jashtë lojës.
Nga ana tjetër, klubi i Bylisit pretendon se dy zyrtarë të Laçit, Naim Halilaj dhe Kleo Laska, kanë ushtruar dhunë ndaj dy futbollistëve të tyre, Ahmed Ibrahim Adepoju dhe Mirlind Bahaj. Sipas ballshiotëve, lojtarët janë goditur dhe ofenduar, duke u akuzuar se “luajnë për Partizanin”.
"FK Bylis dënon incidentin e ndodhur në Laç gjatë ndeshjes së kampionatit U-19, Laçi-Bylis. Gjatë gjithë lojës ka pasur tension, por sapo ka përfunduar ndeshja, dy zyrtarët e klubit kurbinas, Naim Halilaj dhe Kleo Laska, kur lojtarët po futeshin në tunelin e dhomave të zhveshjes kanë goditur, nigerianin Ahmed Ibrahim Adepoju dhe shqiptarin Mirlind Bahaj, duke i ofenduar dhe akuzuar se luajmë për Partizanin.
Si klub dënojmë aktin e rëndë, sidomos kur ndodh në një kampionat moshash dhe ne, as nuk shitemi, e as blihemi, pasi jemi në garë. Faza “Play-Off”” sapo ka nisur dhe jemi brenda objektivit, kemi shanset tona dhe do të luftojmë deri në fund të garës", shkruan FK Bylisi në kanalet e komunikimit.
Aktualisht, Laçi U-19 kryeson renditjen me 27 pikë, i ndjekur nga Partizani U-19 me 25 pikë, ndërsa Bylisi renditet në vendin e tretë me 17 pikë.
Lini një Përgjigje