
Federata Iraniane e Futbollit ka ndërmarrë një përpjekje për të hapur bisedime me FIFA-n me synimin për të zhvendosur ndeshjet e kombëtares së saj në Kupën e Botës 2026 nga Shtetet e Bashkuara drejt Meksikës. Sipas kalendarit zyrtar, këto ndeshje janë planifikuar të zhvillohen në territorin amerikan.
Kjo kërkesë vjen në kontekstin e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe shqetësimeve për sigurinë e ekipit iranian. Megjithatë, FIFA e ka refuzuar këtë mundësi, duke lënë në fuqi planifikimin ekzistues.
Pozicioni i Iranit është bërë publik nga ambasada iraniane në Meksikë, e cila ka konfirmuar ekzistencën e këtyre përpjekjeve diplomatike. Sipas Federatës Iraniane të Futbollit, një faktor kyç në këtë nismë ka qenë deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me sigurinë e ekipit.
“Pasi presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi qartë se nuk mund të garantojë sigurinë e kombëtares iraniane, është e natyrshme që ne të mos shkojmë në Amerikë”, është shprehur presidenti i federatës, Mehdi Taj.
Nga ana tjetër, FIFA ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke e konsideruar çështjen të mbyllur. Organizata thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha federatat pjesëmarrëse, përfshirë Iranin, për organizimin e Kupës së Botës 2026.
“FIFA pret që të gjitha skuadrat pjesëmarrëse të zhvillojnë ndeshjet sipas kalendarit të publikuar më 6 dhjetor 2025”, thuhet në komunikatë.
Lini një Përgjigje