
Sportingu i Lisbonës është skuadra e parë që siguron një vend në çerekfinalet e këtij sezoni në Champions League, pas një përmbysjeje dramatike ndaj Bodo/Glimt. Portugezët triumfuan me rezultatin e thellë 5-0 pas 120 minutave lojë, duke rikuperuar humbjen 3-0 të ndeshjes së parë në Norvegji.
Takimi i zhvilluar në Lisbonë nisi me ritëm të lartë nga vendasit, të cilët kërkuan menjëherë golin. Avantazhi erdhi në minutën e 34-t, kur Gonçalo Injacio shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Trinkao. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, Sportingu rriti presionin dhe arriti të dyfishonte shifrat në minutën e 61-të. Pas një aksioni të ndërtuar bukur nga Katamo dhe asistit të Luis Suarez, ishte Pedro Gonçalves që finalizoi për 2-0. Vetëm 16 minuta më vonë, Luis Suarez realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke çuar rezultatin në 3-0 dhe duke barazuar totalin e dy ndeshjeve.
Me këtë rezultat, sfida shkoi në kohën shtesë, ku vendasit vazhduan dominimin. Në minutën e 92-të, Maksimiliano Araujo shënoi golin e katërt me një goditje të saktë brenda zonës, pas një asistimi tjetër nga Trinkao. Në minutat në vijim, i sapofuturi Rafael Nel vulosi fitoren me golin për 5-0.
Sportingu i Lisbonës avancon kështu në fazën çerekfinale, ndërsa për Bodo/Glimt përfundon këtu rrugëtimi në këtë edicion të Champions League, pas një paraqitjeje të konsiderueshme deri në këtë fazë.
Lini një Përgjigje