
Nga Barcelona, ku Kombëtarja qëndroi në grumbullim prej të hënës, kuqezinjtë udhëtuan këtë të mërkurë drejt Andorrës, aty ku të enjten në orën 20:45 përballen për sfidën e parafundit në Grupin K kualifkues të Kupës së Botës 2026.
Në stërvitjen e një dite më parë trajneri Sylvinho e kishte të gjithë grupin në dispozicion. Futbollistët u stërvitën së pari në palestër dhe më pas zhvilluan skema taktike dhe goditje standarde.
Forma e skuadrës është e mirë dhe stafi mjekësor nuk ka vënë re asnjë shqetësim. Edhe Gjimshiti dhe Hoxha u bashkuan me grupin, pasi stërvitjen e parë të të hënës e zhvilluan të diferencuar.
Këtë të mërkurë ekipi ka lënë Barcelonën dhe ora 12:45 i gjeti në Andorra, ku në orën 17:00 për mediet do flasë trajneri Sylvinho. Më pas në orën 18:00 kuqezinjtë do zhvillojnë stërvitjen gjenerale në stadiumin "Encamp".
Sfida e nesërme mund të jetë më deçizivja për tanët, pasi një fitore e Shqipërisë në Andorra, kombinuar me një humbje të Serbisë në Angli, do bënte që ekipi ynë zyrtarisht të merrte vendin e dytë në grup dhe të garonte në play-off e Kupës së Botës 2026, turne që zhvillohet verën që vjen në Amerikën e Veriut.
Tifozët - Për duelin kundër Andorrës, Federata e Futbollit të këtij vendi bëri me dije se gjithë biletat për tifozët ishin të shitura dhe në impiant do ketë diçka më shumë se 5 mijë mbështetës. Shumica e stadiumit pritet të jetë me ngjyrat kuqezi, pasi tifozët e Shqipërisë u 'infiltruan' si vendas për t'u pajisur me një biletë. Vetë rëndësia e ndeshjes ka bërë që shumë tifozë të udhëtojnë drejt Andorrës për të qenë dëshmitarë të një mbrëmjeje që mund të rezultojë historike për tanët.
Anglia - Veç Andorrës, të diel në orën 20:45 në Tiranë ekipi ynë pret Anglinë e kualifikuar, ndeshje kjo e fundit për Grupin K.
Lini një Përgjigje