TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Shtator 2025, 20:10

Kombëtarja U-21 reziston vetëm një pjesë loje, Shqipëria bie përballë Gjermanisë së shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti

Kombëtarja U-21 reziston vetëm një pjesë loje,

Kombëtarja shqiptare U-21 zhvilloi një miqësore luksi me bashkëmoshatarët e Gjermanisë. Ashtu siç parashikohej, të besuarit e Alban Bushit u mposhtën në Elbasan me shifrat 0-2.

Kuqezinjtë 21-vjeçarë rezistuan vetëm një pjesë loje, duke e mbyllur të parën me rrjeta të paprekura, madje u shfaqën rrezikshëm, ku mund të kishin shënuar. Ndryshe u paraqit pjesa e dytë e ndeshjes.

Me të nisur pjesa e dytë, miqtë gjermanë kaluan në avantazh. Ansah mori topin në qendër dhe lëshoi një gjuajtje që nuk i la kohë për reagim Jukajt dhe 0-1 për “pancerat”.

Por nënkampionët në fuqi të Evropës nuk u ndalën me kaq. Pa kaluar as minuta, Gjermania shënoi edhe të dytin. Këtë herë me Pejçinoviç, i cili shfrytëzoi përgjumjen e mbrojtjes për të shënuar në portën e Jukajt.

Kuqezinjtë u munduan në pjesën e mbetur të shënonin një gol nderi, por ishte e pamundur përballë një skuadre të mirëorganizuar. Në radhët e Gjermanisë ra në sy se titullarë në takimin e sotëm ishin edhe dy shqiptarët që ndiqen nga Silvinjo, Brajan Gruda dhe Nelson Vaiper.

 

 

 

gjermania u-21 shqipëria u-21 ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje