
Domeniko Roka, ish-gjyqtari anësor italian, është vënë në qendër të vëmendjes publike pas zhvillimeve të fundit që lidhen me një hetim penal në Itali. Emri i tij është përmendur në kuadër të hetimit ndaj kreut të arbitrave italianë, Xhanluka Roki, i cili dyshohet për bashkëpunim në mashtrime sportive.
Sipas raportimeve, hetimi i Prokurorisë së Milanos mund të ketë marrë shkas nga një ankesë e dorëzuar rreth një vit më parë nga vetë Roka pranë Komisionit Kombëtar të Arbitrimit. Në këtë ankesë, ai kishte denoncuar parregullsi të rënda në mënyrën e menaxhimit të institucionit nga Roki.
Dokumenti i paraqitur nga Roka përmbante akuza të detajuara dhe përshkrime episodike, dhe ishte dërguar pas përjashtimit të tij nga lista e arbitrave aktivë në fund të sezonit të kaluar. Ai ishte një nga 14 ndihmësit e larguar nga detyra pa një shpjegim zyrtar nga autoritetet përkatëse.
Pas njoftimit zyrtar për nisjen e hetimeve, Roka reagoi publikisht në rrjetet sociale me një mesazh të shkurtër, por domethënës: “Kush plagos me shpatë, nga shpata do të vdesë”, një deklaratë që u interpretua si reagim ndaj përfshirjes së Rokit në listën e të dyshuarve.
Në letrën e tij, Roka kishte ngritur gjithashtu shqetësime mbi mënyrën e vlerësimit dhe emërimit të arbitrave, duke pretenduar se ndërhyrjet në këto procese kanë dëmtuar parimet e meritokracisë dhe drejtësisë në sistem. Gjatë sezonit të fundit, ai kishte marrë pjesë në 14 ndeshje, një në Serinë A dhe 13 në Serinë B.
Domeniko Roka ka lindur në Kalabri në vitin 1985 dhe është pjesë e seksionit të AIA-s në Katanzaro. Ai e nisi karrierën si gjyqtar në moshën 15-vjeçare dhe përparoi në nivelet rajonale dhe ndërrajonale, duke qenë pjesë e CAN D dhe më pas CAN Pro. Më vonë, ai kaloi në rolin e ndihmësit të gjyqtarit, ku u aktivizua në ndeshje të Serisë A dhe Serisë B. Debutimin në elitën e futbollit italian e bëri më 12 shkurt 2017, në ndeshjen Torino-Peskara. Karriera e tij përfundoi sezonin e kaluar, kur u përjashtua nga lista e arbitrave pa sqarime zyrtare.
Lini një Përgjigje