
Mançester Junajtid vijon mos jetë në formën e duhur, kjo pasi 'Djajtë e Kuq' kanë pësuar humbjen e tretë këtë fillim sezoni. Për javën e 6 në Premier Ligë, Brentfordi doli fitues me rezultatin 3-1 duke 'zhytur' në krizë “Djajtë e Kuq”.
Ndeshja u zhbllokua shpejt nga Brentfordi, me Igor Tiago që kaloi në epërsi vendasit pas tetë minutave lojë. Asist nga veterani Henderson. Në minutën e 20 ishte sërish Igor Tiago që shënoi golin e dytë për vendasit duke bërë që tifozët të festonin.
Gjashtë minuta më vonë, slloveni Benxhamin Seshko shënoi golin e parë me fanelën e Mançester Junajtid, por nuk ishte e thënë që miqtë të dilnin me pikë. Bruno Fernandes, kapiteni i Mançester Junajtid gaboi nga 11 metërshi për herë të dytë këtë sezon, duke shpërdoruar mundësinë që rezultati të barazohej në minutën e 76.
Në fund, pas një gabimi në pasim të Mainu, Brentfordi kundërsulmoi dhe pasimi final i Jarmoljuk u shfrytëzua nga Jensen, që me vetëm gjashtë minuta në fushë shënoi një gol fantastik nga jashtë zone në shtesën e gjashtë.
Pas eliminimit nga Kupa e Ligës nga Grimsbi, Mançester Junajtid e sheh veten në krizë edhe në kampionat, teksa pas gjashtë raundesh ka tre humbje, dy fitore dhe një barazim, për vendin e 13 në kuotën e shtatë pikëve. Po me shtatë pikë Brentfordi merr vendin e 11.
Lini një Përgjigje