
Në prag të ndeshjeve të fazës “play-off”, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin teknik, po ndjek nga afër gjendjen fizike dhe formën e lojtarëve që aktivizohen jashtë vendit. Vëmendja është përqendruar te disa emra kyç të skuadrës kuqezi.
Një zhvillim pozitiv vjen nga Mario Mitaj, i cili duket se ka lënë pas problemet e mëparshme dhe është rikthyer në formë të mirë sportive. Anësori i majtë ishte protagonist në ndeshjen e Kupës me ekipin e tij, Al-Itihad.
Mitaj u aktivizua për 120 minuta të plota dhe realizoi me saktësi një goditje nga pika e bardhë. Megjithatë, pavarësisht paraqitjes së tij të mirë, skuadra nuk arriti të kualifikohej më tej. Performanca e tij u vlerësua me notën 7.7 nga platforma e specializuar “SofaScore”.
Në krahun tjetër, situata e kapitenit Berat Gjimshiti mbetet e paqartë. Qendërmbrojtësi i Atalantës nuk ka qenë në kushte optimale fizike, duke mos u stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të ekipit.
Në përballjen ndaj Bajernit të Mynihut, ai qëndroi në stol për të gjithë 90 minutat, çka shton dyshimet mbi gatishmërinë e tij për ndeshjet e ardhshme.
Gjendja e Gjimshitit pritet të vlerësohet në ditët në vijim. Ende nuk është e qartë nëse ai do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar në fundjavë në ndeshjen kundër Veronës.
Lini një Përgjigje