
Chelsea ka gjunjëzuar kampionët në fuqi të Europës, Paris Saint-Germain, me një pjesë të parë spektakolare në finalen e Kupës së Botës për Klube. Ndeshja që po luhet në MetLife Stadium të Neë Jersey-t është dominuar në çdo aspekt nga blutë londinezë, që pas 45 minutash udhëheqin bindshëm 3-0.
Cole Palmer është kthyer në makthin e parizienëve, duke shënuar dy gola të klasit të lartë në minutat 22 dhe 30, dhe duke dhënë asistin për golin e tretë të Joao Pedro-s në minutën e 43-të. Çdo aksion i Chelsea-t është kthyer në rrezik real për portën e PSG-së, që duket pa ide, pa reagim dhe e çorientuar.
Kampionët e Champions League, të cilët kishin ardhur në këtë finale si favoritë, nuk kanë arritur të gjejnë aspak ritmin që i karakterizoi në ndeshjet e tjera. Kartonët e verdhë të pësuar nga Neto, Caicedo dhe Gusto tregojnë nervozizmin dhe tensionin në rritje.
Chelsea, nga ana tjetër, po luan me qetësi, besim dhe egërsi, duke dhënë sinjale se është rikthyer për të marrë trofetë më të mëdhenj. Nëse pjesa e dytë shkon në të njëjtën linjë, kjo do të jetë goditja më e fortë që PSG ka pësuar në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje