
Botërori po afron dhe vëmendja e tifozëve është përqendruar te dy prej figurave më të mëdha të futbollit botëror, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, për të cilët pritet që ky të jetë turneu i fundit madhor me përfaqësueset respektive.
Sipas një raportimi të publikuar nga “The Touchline”, Lionel Mesi nuk e përjashton mundësinë që të mungojë në Kupën e Botës nëse nuk ndihet plotësisht i gatshëm fizikisht. Burimi në fjalë pretendon se kapiteni i Argjentinës ka vendosur si kusht personal arritjen e formës 100 për qind, në të kundërt do të shqyrtojë seriozisht qendrimin jashtë kompeticionit.
Raportimi thekson se, sipas vlerësimit të vetë lojtarit, kampionati amerikan (MLS) nuk ofron nivelin e konkurrencës së mjaftueshme për t‘u përgatitur në mënyrën ideale për një turne si Botërori. Për këtë arsye, gatishmëria e plotë fizike konsiderohet thelbësore për pjesëmarrjen e tij.
Aktualisht, Inter Miami po vijon përgatitjet për sezonin e ri në MLS, ndërsa Mesi raportohet se po kalon një periudhë rikuperimi nga një dëmtim. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga lojtari apo nga federata argjentinase lidhur me këto pretendime.
Në mungesë të një konfirmimi zyrtar, mbetet për t’u parë nëse kapiteni i Argjentinës do të jetë në gjendje të arrijë formën optimale dhe të udhëheqë skuadrën e tij në një tjetër turne botëror.
Lini një Përgjigje