
Mirlind Daku është kthyer të shënojë rregullisht dhe ka tundur rrjetën për ndeshjen e dytë radhazi me fanelën e Rubin Kazan. Sulmuesi shqiptar është treguar përsëri i pagabueshëm para portierit në ndeshjen që skuadra e tij luante ndaj Khimki në transfertë.
Edhe pse vendasit shënuan që në minutat e para të sfidës, Daku vendosi shpejt baraspeshën, kur në minutën e 12 të ndeshjes, mori një pasim nga e majta duke shmangur pozicionin jashtë loje dhe i vetëm para portierit nuk gaboi duke mposhtur këtë të fundit me një top të çuar në shtyllën e largët.
Ky ishte goli i 13 i Dakut në këtë sezon në Premier Ligën ruse, ku aktualisht është golashënuesi i dytë më i mirë. Vetëm Manfred Ugalde i Spartakut të Moskës me 16 gola ka shënuar më shumë se sa sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili ka dhënë edhe 6 asiste.
Lini një Përgjigje