
Xhanluka Roki nuk do të paraqitet në Prokurorinë e Milanos për seancën e marrjes në pyetje të planifikuar për të enjten, më 30 prill, në kuadër të hetimeve mbi botën e arbitrimit. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij mbrojtës përmes një komunikate për shtyp.
Ish-dizenjatori i arbitrave në Serinë A dhe B, i cili është vetëpezulluar, rezulton i hetuari kryesor për pjesëmarrje në mashtrim sportiv. Në të njëjtin hetim përfshihet edhe supervizori i VAR, Andrea Gervasoni.
Sipas mbrojtjes, vendimi për të mos u paraqitur në këtë fazë është marrë për arsye procedurale.
“Roki donte të paraqitej, por isha unë ai që vendosa që të hiqte dorë, duke qenë se nuk jam në dijeni të dosjes së hetimeve paraprake; mendoj se nuk jam në gjendje të bëj mbrojtjen në mënyrë efektive”, theksoi avokati i tij.
Gervasoni pritet të dëshmojë
E enjtja pritet të jetë gjithashtu dita e marrjes në pyetje për Andrea Gervasonin, i cili, njësoj si Roki, është vetëpezulluar për shkak të hetimeve. Ai dyshohet për përfshirje në mashtrim sportiv në lidhje me ndeshjen Salernitana–Modena.
Ndryshe nga Roki, burime pranë çështjes bëjnë të ditur se Gervasoni është i gatshëm të paraqitet në prokurori dhe t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve.
Lini një Përgjigje