Derbi mes Tiranës dhe Partizanit vijon të konsiderohet si përballja më përfaqësuese e elitës së futbollit shqiptar. Ndeshja e fundit, e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Air Albania”, u mbyll me fitoren e bardhebluve pas një përmbysjeje spektakolare, duke rikthyer në qendër të vëmendjes intensitetin dhe simbolikën e këtij rivaliteti.
Interesi për këtë sfidë ka kaluar kufijtë kombëtarë. Media greke “gazzetta.gr” i ka kushtuar një analizë të veçantë derbit, duke e trajtuar atë në disa plane dhe duke e cilësuar si një nga përballjet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit.
Sipas artikullit, rivaliteti mes dy klubeve nuk kufizohet vetëm në aspektin sportiv, por lidhet ngushtë me histori, ndarje sociale dhe identitete të ndryshme.
“Derbi midis KF Tirana dhe Partizani mbart dallime historike, tensione sociale dhe episode. Nuk është vetëm ndeshja më e rëndësishme e futbollit në Shqipëri. Është një hendek social dhe historik i shprehur përmes 90 minutash intensiteti, pasioni dhe shpesh rivaliteti të ashpër,” shkruan “gazzetta.gr”.
Në analizë theksohet edhe origjina e dy klubeve dhe simbolika që ato përfaqësojnë:
“KF Tirana, e themeluar në vitin 1920, është ekipi i ‘qytetit të vjetër’, i borgjezisë, traditës dhe identitetit lokal. FK Partizani lindi në vitin 1946 si një krijim i regjimit komunist, i lidhur ngushtë me ushtrinë dhe pushtetin shtetëror.”
Sipas medias greke, për dekada me radhë këto dy skuadra kanë përfaqësuar më shumë se thjesht rivalë sportivë:
“Për dekada të tëra, të dy ekipet nuk ishin thjesht rivale, ato ishin dy botë të ndryshme. Nga njëra anë, pavarësia dhe krenaria lokale, nga ana tjetër, disiplina dhe pushteti shtetëror.”
Lini një Përgjigje